Në katër mujorin e parë të këtij viti qeveria shpenzoi 15.2 miliardë lekë në formën e investimeve kapitale, nga të cilat 3 miliardë lekë (27 milionë euro) ose rreth 20 për qind e financimit total shkoi për financimin e ndërtimit të një tuneli të ri në Llogora.
Por teksa financimet e qeverisë janë përqendruar në projekte me ndikim të kufizuar, aktualisht rruga nacionale Shkozet – Plepa që është infrastruktura kryesore e plazhit të Durrësit, Golemit e Kavajës, që është qendra kryesore pritëse në vend për turizmin e organizuar, aktualisht është gati e pakalueshme.
Përveç rëndësisë që ka për turizmin në Durrës, ky aks është strategjik për turizmin e Jugut, pasi nëpërmjet tij kalon i gjithë trafiku i lëvizjeve nga Veriu dhe Qendra e vendit, duke u bërë pikë kalimi për pjesën më të madhe të turistëve që vijnë nga Rinasi.
Jo vetëm infrastruktura e zonës së Durrësit, por e gjithë qendrës së vendit është e mjerueshme aktualisht. Aksi Fushë-Krujë -Kamzë me vetëm dy korsi lëvizëse është bërë gati i pakalueshëm aktualisht nga amortizimi dhe gropat e mëdha të hapura në rrugë.
Autostrada Tiranë- Durrës e mbuluar me arna dhe me gropa nga mbikalimi i Rinasit në Durrës nuk është e denjë për një vend që po renditet në krye të listave për flukset e pritshme të turistëve.
Në listën e projekteve që kanë marrë financime edhe këtë vit u rendit jugu i vendit. Përveç tunelit të Llogorasë edhe rreth 620 milionë lekë (5.5 milionë ) euro shkuan sërish në Vlorë për financimin e By-passit dhe financimin e kostove lokale që duheshin për ndërtimin e tij.
Këtë vit buxhetor përveç financimit të kontratave koncesionare, Ministria e infrastrukturës do të realizojë rreth 12 miliardë lekë (100 milionë euro) investime në ndërtim dhe sistemim rrugësh në akset nacionale të vendit.
Por sipas të dhënave nga Ministria e Financave, 58% e kësaj shume rreth 7 miliardë lekë do të shkojnë për financimin e punimeve në Tunelin e Llogorasë. Përveç 12 miliardë lekëve, një fond i veçantë prej 4.5 miliardë lekësh do të çelët nga buxheti i vitit 2023 për financimin e kontratave koncesionare.
Investimet publike në infrastrukturën rrugore janë përqendruar këto tre dekada në periferi, duke lënë territorin e qendrës së vendit ku është e përqendruar gati gjysma e popullsisë dhe aktivitetit ekonomik pa infrastrukturë.
Vitet e fundit fondet buxhetore për rrugët kanë shkuar në jug të vendit, me aksin Kardhiq-Delvinë, Qukës-Qafë-Plloçe, Korçe-Ersekë dhe së fundmi tunelin e Llogorasë që për vite të tëra po marrin pothuajse të gjitha fondet e programuara për rrugët.
Por ndërkohë Tirana-Durrësi dhe Rinasi janë me infrastrukture të vjetruar dhe nuk i përgjigjet fluksit të udhëtareve. Zona Fushë-Krujë, Tiranë -Durrës gjendet me hendek në infrastrukturë, duke i bërë jo fisibël edhe investimet e bëra në akset periferike.
Në projektbuxhetin 2023 infrastruktura e qendrës së vendit është lënë pa financim, ndërkohë që projektet për rivitalizimin e saj kalojnë nëpër disa kontrata koncensionare PPP me kosto të larta dhe afate të gjata. As hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas nuk po përparon, një projekt që sipas afateve fillestare pritej të përfundonte vitin e kaluar./MONITOR