· Policia e Kalesë shkatërron bandën udhëhequr nga dy gra franceze, të cilat akuzohen për kalimin ilegal të 100 shqiptarëve në Britani duke u marrë nga 5 000 sterlina secilit

· Të dy gratë janë truri i operacionit të trafikimit të njerëzve

· Gangsterët operonin një sistem biletash, duke u kërkuar emigrantëve mijëra sterlina

· Ata arritën të kalonin ilegalisht 100 shtetas shqiptarë në ishull

11 gusht 2015 –  Policia e fshehtë franceze në Kalè (Calais) ka shkatërruar një rrjet trafikantësh të qenieve njerëzore, të cilët u kërkonin secilit prej 100 shqiptarëve nga 5 000 sterlina për bileta në drejtim të Britanisë së Madhe të fshehur në kamionë me tragetet e Kanalit (Channel), njofton “Daily Mail”.

Katër shqiptarë dhe dy gra franceze janë arrestuar nga policia kufitare pas një hetimi pesëmujor. Bëhet e ditur se dy francezet që bashkëjetonin me burra shqiptarë ishin truri i aferës kriminale të trafikimit të emigrantëve ilegalë, veprimtari që nisi në fillim të vitit.

Sipas raporteve franceze, gjashtë trafikantët bashkëpunonin me shoferët e kamionëve, të cilët merrnin para në kesh për emigrantët që hipnin në automjetet e tyre në pikat e ndalim-pushimit të autostradës.

Këta kamionë imbarkoheshin në tragetet në Kalè dhe Dankërk (Dunkirk) dhe zbrisnin në portet e Kanalit Britanik, ku shqiptarët priteshin nga bashkatdhetarët, tashmë me banim në Britani.

Gjashtë trafikantët e dyshuar po mbahen në Bulonjë (Boulogne) në pritje të gjykimit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/