Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, tha se policia e Novi Sadit ka arrestuar katër persona të dyshuar për sulm ndaj dy të rinjve shqiptarë, të cilët janë rrahur në natën midis së shtunës dhe të dielës në këtë qytet.

"Policia, pas hetimeve intensive disaorëshe, i ka identifikuar të gjithë sulmuesit që kanë rrahur dy të rinjtë dhe ka arrestuar katër të dyshuar për këtë vepër penale", tha Stefanoviç, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Stefanoviç tha se, "edhe pse hetimet e deritashme, përfshirë bisedat me të dyshuarit dhe njërin prej viktimave, tregojnë se indicenti nuk është nxitur në baza kombëtare, policia do t’i hetojë të gjitha akuzat në detaje dhe do të vijë deri tek e vërteta".

Njëri nga të rinjtë që është rrahur dhe plagosur keq, është operuar në Qendrën Klinike të Vojvodinës dhe gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë e qëndrueshme. Sulmi ndaj shqiptarëve u dënua edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Qeveria e Vojvodinës, parti të opozitës dhe organizata joqeveritare./REL