4 persona janë arrestuar nga policia e Durrësit të dyshuar që kanë lidhje me krimin e dyfishtë të regjistruar mëngjesin e të mërkurës në zonën e Manzës, Durrës.

Burime policore konfirmojnë për “DurrësLajm” se autori i dyshuar i vrasjes së Flori Paluçit, shtetasi Daniel Pepa, nuk është prangosur ende nga forcat blu të Durrësit.

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia ka ushtruar kontrolle të shumta në zonën e Manzës dhe rrethinat përreth, me qëllim lokalizimin e 21-vjeçarit Pepa, i cili u largua pas ngjarjes së rëndë në një lokal të Manzës.

Në kuadër të hetimeve për ngjarjen, janë vënë në pranga katër persona të tjerë: Erald Cani, Ergi Kadiu, Taulant Beqja dhe Emirjan Beqja, të cilët akuzohen për veprën penale të moskallëzimit të krimit.

Në krimin e dyfishtë humbën jetën 23-vjeçari Aranit Kurti dhe Flori Paluçi, ku ky i fundit, sipas burimeve policore, ka patur precedentë penalë si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit. Edhe Daniel Pepa mësohet të jetë me precedentë penalë.

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa dhe Aranit Kurti kishin shkuar në lokal, ku Danieli i kërkoi kamarierit t’i përgatiste një kafe. Kamarieri iu përgjigj se ekspresi ishte i fikur dhe nuk mund të bënte kafe moment pas të cilit nisi konflikti që përfundoi tragjikisht.