Katër shqiptarë të identifikuar si Runi Firaku, Drilon Sulaj, Andi Zyberaj dhe Ermir Zyberaj janë kapur në Britaninë e Madhe duke kultivuar 250 mjë paund kanabis, por janë shprehur se preferojnë më mirë të qëndrojnë pas hekurave se sa të kthehen në Shqipëri.
The Times shkruan se shqiptarët u kapën në një bllok banesash të braktisura, në Strood të Kentit.
Firaku, 43 vjeç, nga Lutoni, kishte qenë në ndërtesë vetëm për katër deri në pesë ditë, pasi kishte mbërritur legalisht në MB.
“Kur u pyet nga policia nëse e dinte se ishte e paligjshme rritja e këtyre barnave, ai tha se e bënte, por “burgu është më i mirë se Shqipëria,”- tha Prokurori Timothy Devlin.
Sulaj, 32 vjeç tha përmes avokatit të tij Kerry Waite se ishte “vënë nën presion” për të shlyer borxhin e tij prej 20,000 £ ndaj bandës së kontrabandës së njerëzve që kishte organizuar hyrjen e tij të paligjshme në MB në mars të këtij viti.
Andi Zyberaj, 35 vjeç dhe Ermir Zyberaj, 32, të cilët nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, ishin kontrabanduar gjithashtu në MB, njëri në pjesën e pasme të një furgoni dhe tjetri me kamion.
Ermir Zyberaj tha se po punonte që të shlyente një borxh prej 50 mijë eurosh, por nuk sqaroi nëse kjo gjë kishte të bënte me kontrabandistë njerëzish. Firaku dhe Zyberajt u burgosën nga shtatë muaj, ndërsa Sulaj për tetë muaj.





