Forca të shumta policie së bashku me njësinë speciale zbarkuan në rrugët e një lagjeje të tërë, në kërkim të një vrasësi serial, pasi një person i katërt u gjet i vdekur pa asnjë arsye.

Banorët në lagjen Seminole Heights të Tampas, Florida, raportuar se kishin dëgjuar të shtëna me armë pak përpara orës 5 të mëngjesit të së martës. Kur mbërritën në vendin e ngjarjes, oficerët e policisë gjetën trupin e pajetë të 60 – vjeçarit Ronald Felton. Ai kishte qenë duke kaluar rrugën kur një person i armatosur i erdhi nga prapa dhe e qëlloi për vdekje.

Kreu i policisë, Brian Dugan theksoi se deri kur detektivët e tij të vërtetojnë të kundërtën, vrasja e 60 – vjeçarit do të trajtohet si e lidhur me vrasjen e 3 personave të tjerë, të ndodhura brenda një harku kohor prej 10 ditësh, gjatë muajit tetor.

Tre viktimat e mëparshme ishin vetëm dhe u qëlluan për vdekje gjatë natës në lagje, sapo kishin zbritur nga autobusi. Asnjë prej tyre nuk ishte grabitur.

Autori besohet se është një burrë me ngjyrë, i cili mban veshur rroba të zeza dhe lëviz me armë zjarri. Viktima e parë ishte një 22 – vjeçar, i cili u ekzekutua më datë 9 Tetor.

Dy ditë më pas, një 32 – vjeçare u vra gjithashtu. Më 19 Tetor, një 20 vjeçar u qëllua teksa kishte marrë autobusin e gabuar për t’u kthyer për në shtëpi.