Në katër vite luftë në Ukrainë, Rusia ka arritur të sigurojë mbi 1 trilion euro të ardhura nga gazi, nafta dhe qymyri, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare. Të dhënat vijnë nga një analizë e përditësuar e Center for Research on Energy and Clean Air (Crea), një institut i pavarur me seli në Finlandë.
Sipas raportit, që nga nisja e pushtimit rus, arkëtimet energjetike të Kremlinit kanë arritur në 1.019 miliardë euro. Vetëm në janarin e fundit Rusia ka përfituar mbi 14 miliardë euro, ndërsa gjatë gjithë vitit 2025 rreth 202 miliardë euro.
Si i siguroi Rusia këto të ardhura?
Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë dhe i dyti për gaz natyror, si dhe ndër gjashtë vendet kryesore për qymyr. Gjatë periudhës 2022–2026, të ardhurat ndahen kështu: Rreth 420 miliardë euro nga nafta bruto, 280 miliardë euro nga produktet e naftës, 135 miliardë euro nga gazi, 74 miliardë euro nga gazi i lëngshëm (LNG) dhe 109 miliardë euro nga qymyri.
Crea ka përdorur një kombinim burimesh, nga të dhënat e trafikut detar dhe statistikat europiane, deri te vlerësimet e çmimeve reale të shitjes, për të ndërtuar këtë panoramë.
Fitime edhe me sanksione
Pavarësisht masave ndëshkuese, tavanit të çmimeve të G7 dhe kufizimeve të tjera, Moska ka vazhduar të fitojë falë zhvendosjes së eksporteve drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme, përdorimit të ndërmjetësve jo të sanksionuar dhe një rrjeti operatorësh që shpesh shesin mbi çmimin e lejuar.
Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe e ashtuquajtura “flota hije”, e përdorur për transportin e energjisë.
Kush blen më shumë nga Rusia
Blerësit kryesorë të energjisë ruse mbeten Kina, India dhe Turqia, të cilat së bashku kanë blerë 584 miliardë euro energji, ose 57% të totalit.

Kina kryeson me 301 miliardë euro, India me 165 miliardë euro dhe Turqia me 121 miliardë euro.
Ndërkohë, marrëveshjet e fundit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit indian Narendra Modi parashikojnë një ulje ose ndalim të blerjeve indiane të naftës ruse.
Për Kinën, një skenar i tillë nuk është konfirmuar, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare. Presidenti finlandez Alexander Stubb ka deklaruar më herët se një telefonatë e Xi Jinping drejtuar Moskës do të mjaftonte për të ndalur luftën.
Çfarë bën Europa
Edhe Evropa ka kontribuar ndjeshëm në të ardhurat ruse, me 219 miliardë euro blerje energjie gjatë periudhës së analizuar.
Shuma ka rënë ndjeshëm pas vitit 2022, por nuk është zhdukur: rreth 16 miliardë euro blerje janë regjistruar ende në 2025 dhe 1,2 miliardë euro në fillim të 2026. Gazi i lëngshëm nga Siberia vazhdon të mbetet një element kyç.





