Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali ka kujtuar sot 4 vjetorin e agresionit rus në Ukrainë. Me anë të një postimi në rrjetin social X, Spiropali thekson se Shqipëria mbështet popullin ukrainas.
Spiropali shprehet se në këtë përvjetor të katërt përkujtohen jetët e humbura, ndërkohë thekson solidaritetin e palëkundur me kombin, që siç shkruan ajo “mbron lirinë”.
Kryediplomatja shqiptare thotë se “guximi i popullit ukrainas vazhdon të frymëzojë botën, ndërsa “qëndrueshmëria e tyre dëshmon se terrori nuk mund ta mposhtë vullnetin për të jetuar i lirë”.
“Katër vjet pasi Rusia nisi agresionin e saj brutal dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës, ne përkujtojmë jetët e humbura dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me një komb që mbron lirinë, sovranitetin dhe demokracinë e tij.
Guximi i popullit ukrainas vazhdon të frymëzojë botën. Qëndrueshmëria e tyre dëshmon se terrori nuk mund ta mposhtë vullnetin për të jetuar i lirë.
Shqipëria riafirmon mbështetjen e saj të palëkundur për Ukrainën, politikisht, diplomatikisht dhe përmes veprimeve konkrete. Solidariteti ynë është i qartë, parimor dhe i qëndrueshëm”, mbyll postimin Spiropali, e cila thekson se “Ukraina nuk është vetëm”.





