Një event i rëndësishëm kulturor hap siparin në Durrës më 5 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor.

Për 54 ditë me radhë, 40 artistë nga 17 vende të botës do të jenë pjesë e edicionit të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit.

Themeluesi dhe kuratori i saj Oltsen Gripshi, në një prononcim për “DurrësLajm” rrëfen se ky edicion i parë i këtij eventi ndërkombëtar do të ketë si qëllim shpërfaqjen dhe spikatjen e vlerave artistike të së tashmes tonë nëpërmjet qasjes konceptuale dhe filozofike të artistëve bashkëkohor mbi temën: “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”.

Përgjatë 54 ditëve të bienales, veprat e artistëve pjesëmarrës do të ekspozohen në një sërë institucionesh dhe sitesh mjaft të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Durrësit, si Bashkia, Prefektura, Mauzoleumi i Dëshmorëve, Galeria e artit pamor “Nikolet Vasia”, Amfiteatri, Kulla Veneciane, Forumi bizantin etj.

Vend ekepozimi i veprave të artit pamor bashkëkohor do të bëhet edhe Vila e ish-mbretit Zog, ku do të ekspozohen veprat e artistëve bashkëkohor nga Italia dhe Suedia. Vila do të jetë e hapur për vizitorët përgjatë gjithë ditëve të kohështrirjes së Bienales.

Një juri ndërkombëtare, e përbërë nga artistë me emër si Massimo Scaringella (kryetar); Tatiana Berdnik; Realda Abdija; Yan Laichao; Alfred Mirashi Milot dhe Fatmir Juka do të vlerësojnë veprat e artistëve pjesëmarrës.

M.B.