Videoja që tregon ambientet e brendshme të qendrës së emigracionit në Meksikë ku u dogjën 40 emigrantë, i ka shtuar akoma edhe më shumë përmasat e tragjedisë, pasi tregoi se ajo mund të ishte shmangur.

Gardianët shihen aty duke u larguar që të shpëtojnë vetë, teksa qelia e mbushur me njerëz përfshihet nga tymi e flakët, por nuk ua hapin atyre derën. Videoja e klikuar 1.4 milionë herë deri tani u shpërnda nga gazetari meksikan Joaquín López-Dóriga i cili e përshkroi situatën si ‘kriminale’.

Zjarri që shpërtheu në qendrën e ndodhur në qytetin kufitar të Ciudad Juarez thuhet të jetë shkaktuar nga një emigrant i burgosur, i cili dogji dyshekun në shenjë proteste kundër dëbimeve që po u bëheshin atyre. Instituti Kombëtar meksikan i Emigracionit thotë se viktimat e zjarrit ishin të gjithë emigrantë meshkuj nga Amerika Qendrore dhe Jugore. 28 persona të tjerë u dërguan në spital.