Në vijim të monitorimit të kryer nga ajri dhe toka gjatë këtyre ditëve nga Efektivët e Komisariatit të Policisë Krujë dhe Interforca italiane, është arrestuar në flagrancë një shtetas dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë ndaj Kryeplakut të fshatit Mafsheq dhe një shtetasi tjetër, si autorë të 300 bimëve narkotike Cannabis Sativa.
Ata janë:
• G.F. 53 vjeç, banues në Krujë, Kryeplak i fshatit Mafsheq; proceduar në gjendje të lirë;
• B.F. 65 vjeç, banues në Mafsheq, proceduar në gjendje të lirë;
• I. Ferra 69 vjeç, banues në Mafsheq, Njësia Administrative Cudhi, arrestuar.
Në bazë të informacioneve të grumbulluara nga Strukturat Policore gjatë ditëve të fundit u angazhuan 40 forca policie për evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike.
Gjatë monitorimit dhe kontrollit të territorit nga ajri dhe toka në fshatrat Cudhi, Shkretë, Mafsheq u konstatuan rreth 300 bimë narkotike të dyshuara të llojit Cannabis Sativa.
Bimët e konstatuara janë filmuar dhe fotografuar, ku edhe u asgjësuan në vend me anë të djegies.
Policia thekson se operacioni i monitorim – kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, do vijojë edhe në ditët në vazhdim nga ajri dhe toka.





