40 minuta pas tërmetit që mbrëmjen e sotme, në orën 22.05, lëkundi sërish Durrësin dhe rrethinat si dhe tronditjet e tokës u ndien deri në Shijak, Tiranë e Krujë, IGJEUM ka nxjerrë më në fund të dhënat zyrtare për magnitudën, epiqendrën dhe thellësinë.

Ndërsa të gjithë qytetarët dhe mediet presin të informohen zyrtarisht nga IGJEUM, faqja e Institutit të Gjeoshkencave bie gjithmonë pas një tërmeti mesatar apo të fortë dhe është jo aktive për minuta të tëra.

Sipas IGJEUM, lëkundja e sotme kishte magnitudë 4.1, epiqendër në fshatin Fushë-Draç dhe thellësi 35 km.

Në një kohë që vendi ynë muajt e fundit dhe sidomos pas lëkundjes së frikshme të 26 nëntorit 2019 është futur në një fazë me sizmicitet të lartë, i vetmi institucion në vend që mat lëkundjet del “jashtë loje” sa herë regjistrohet një tërmet me magnitudë mbi 3.7.