Mjekja neuropsikiatre, Nikolina Bode nxori detaje tronditëse për ngjarjen e rëndë në Korçë, ku një nënë pasi lindi fëmijën e saj e fshehu atë një valixhe. Bode deklaron se gruaja vuan nga probleme serioze të shëndetit mendor, duke shtuar se 40-vjeçarja ka humbur lidhjet me realitetin.
Bode shprehet se familjarët e kanë konstatuar shtatzëninë e 40-vjeçares në muajin dhjetor të vitit të kaluar, duke shtuar se gruaja kishte refuzuar që të vizitohej nga mjekët.
Madje mjekja tha se gruaja pohon se fëmijën e kishte lindur dikush tjetër.
“Sot ishte dita e parë që u njoha në rrjetet sociale me këtë ngjarje. Fola edhe me nënën dhe motrën e saj, dhe ato më thanë se ajo kishte probleme. Ajo tha se këtë fëmijë e kishte lindur ‘ajo’, por jo ajo vetë. Gruaja tha se nuk ishte e martuar kurrë dhe nuk kishte fëmijë. Ajo tha se jetonte mes xhindësh, psikotike dhe jashtë realitetit. Nga familjarët, ky fëmijë nuk është lindur në maternitet, por në shtëpi. Ajo e ka sjellë në jetë vetë. Kishte dyshuar nëna, pasi diçka kishte ndryshuar në fizikun e saj, por ishte e pamundur t’i ofrohej vajzës dhe ishte e pamundur te mjekohej. Në dhjetor e kishin konfirmuar. Ajo kishte dhe anemi. Është pyetur nga mjekët por nuk i është zbuluar shkaku i hemorragjisë. Prej tre vitesh është e sëmurë mendore, ka qenë në qendrën e sëmundjeve mendore para 1 viti. Terapia e dhënë nga mjeku nuk është marrë nga pacientja. Familjarët thonë se e kanë shoqëruar. Ajo është e sëmurë, jashtë realitetit, e quan veten e saj një person tjetër, jo ajo që është në të vërtetë dhe thotë se fëmijën nuk e ka lindur ajo”, -pohoi mjekja.