Hetimet e regjistruara për pastrim të parave në lidhje me shumën prej 400 mijë euro të gjetur në banesën e sanitares Rozeta Dobi, e arrestuar si autorja e vjedhjes në banesën e Alda Klosit, mund të ndihmohen edhe nga një ekspertizë për gjurmë të gishtave në kartëmonedha.
Prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë nga Policia Shkencore të bëjë verifikimet në këtë drejtim te kartëmonedhat, teksa Policia e Tiranës thotë se janë duke u kryer të gjitha akt-ekspertimet e nevojshme për rastin.
Deri më tani, asnjë prej personave të identifikuar si punëdhënës të Rozeta Dobit, nuk ka pretenduar se atyre i janë vjedhur shuma monetare dhe asnjë denoncim për vjedhje nuk është bërë, duke i lënë këto para pa pronar.
Kjo ngriti dyshimet se shuma mbi 400 mijë euro të jetë e krijuar nga aktivitet i dyshimtë dhe për këtë arsye po shmangen autoritetet.
Vlerat monetare u gjetën në banesën e sanitares Rozeta Dobi një ditë pasi ajo ishte vënë në pranga bashkë me djalin e saj Havier Dobi, për vjedhjen e bizhuve dhe parave në shtëpinë e Alda Klosit.