Ish-lojtari i Arsenal Abou Diaby shprehet se ndihet shumë keq kur dëgjon njerëzit teksa flasin për ecurinë e tij të keqe për shkak të dëmtimeve të pafundme. 29- vjeçari u la i lirë nga klubi verën e kaluar dhe iu bashkua ekipit të Ligue 1 franceze Marseille, ku ka shënuar një gol në 14 paraqitje. Mesfushori në fillimet e karrierës është krahasuar me legjendën e Arsenal Patrick Viera, por ka pësuar plot 42 dëmtime nga viti 2006-2015, duke bërë 182 paraqitje por vetëm dy në dy sezonet e tij të fundit. Dhe ai pranon se dëmtimet e tij të shpeshta e kanë lënduar edhe nga ana psikologjike. “Thonë se jam ‘L’Homme de Verre’. Që do të thotë ‘Njeriu prej qelqi’,” shprehet ai për Daily Mail. “Është e dhimbshme në aspektin psikologjik. Njerëzit nuk e dinë se sa fort punoj çdo ditë të jetës sime duke u munduar të rikuperohem. Por nuk kam çfarë t’i bëj. Kjo është historia e jetës sime.” Diaby ka pranuar se ai kurrë nuk e mori veten plotësisht nga ndërhyrja horror që i bëri Dan Smith i Sunderland në vitin 2006, e cili e la me frakturë të rëndë në kavilje. “Padyshim që ishte ai moment që më ndryshoi jetën për keq. Nga aty nisi çdo gjë. Më dha një kufizim të madh në kavilje dhe më duhej ta kompensoja me pjesë të tjera të trupit tim. Por të kishte ndodhur kur isha 28, gjërat mund të ishin ndryshe. Midis 19 dhe 27 vjeç, do të kisha pasur kohë të zhvillohesha, të luaja rregullisht dhe të bëhesha lojtari që duhet të isha bërë.”