Lushnje, 26 qershor 2014 – Konflikti për një copë tokë ka çuar deri në ekstrem Kujtim Dakën, 54 vjeç, nga Lushnja, i cili i ka marrë jetën nipit të tij. Pasi e ka vrarë djalin e vëllait të tij, 42 vjeçarin Taulant Daka, ai e ka hedhur trupin e tij në një kanal të fshatit duke fshehur krimin. Por vetëm 24 orë pas gjetjes së trupit nga banorët e fshatit, policia ka vënë në pranga autorin e krimit, i cili ka pranuar më pas autorësinë dhe motivin e vrasjes.
Identifikimi i vrasësit është bërë nga banorët e zonës, të cilët ndër të tjera gjatë dëshmisë së tyre në polici kanë rrefyer se viktima prej kohësh kishte konflikte pronësie me xhaxhain e tij. Konfliket kishin agravuar deri në përdorimin e dhunës fizike me mjete te forta, ku për pasojë ka mbetur i vdekur 42 vjecari Taulant Daka.
Dëshmitarët kanë orientuar policinë tek autori pasi ishin në dijeni të konfliktit të gjatë mes tyre për pronat në fshat.
42- vjeçari u gjend i vrarë mbrëmjen e së mërkurës dhe viktima u identifikua si shtetasi Taulant Daka. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore vdekja e tij kishte ndodhur disa orë para se të gjendej trupi, pra konflikti fizik dhe vrasja nga xhaxhai i tij mendohet të ketë ndodhur paraditen e së mërkurës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





