Nga dita e sotme do të ofrohet një mundësi e re punësimi për infermierët përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”.

Kjo platformë është prezantuar nga Kryeministri Edi Rama dhe nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Sipas kreut të qeverisë, infermierët që aplikojnë për punë në këtë portal do të rekrutohen vetëm në bazë të meritës dhe nuk do të ketë më lëvizje politike.

Për momentin janë 420 vende të lira pune për infermierët që do të aplikojnë në këto pozicione dhe që do t’i nënshtrohen testimit.

“Nga sot çdo infermiere që do të rekrutohet në sistemin tonë shëndetësor do të mund të rekrutohet vetëm falë meritës dhe aftësive të veta. Në bazë të meritës, secili do të marrë pikët që i takojnë. Sot janë 420 vende vakante. Ne kemi refuzuar t’i mbushim vendet vakante nga poshtë, nga lartë, pasi përgatiteshim për këtë proces”, është shprehur Kryeministri Edi Rama. 

Ekzistenca e këtij portali do t’i japë fund punësimeve pa meritë, sikurse ka ndodhur deri më tani. Dhe për këtë, Kryeministri Rama u shpreh se ndihet më i lehtësuar që ky fenomen negativ mori zgjidhje.

“Përballë ankesave të një infermiereje me 20 vite eksperiencë nuk kam mundur të bëj dot asgjë, që është larguar për t’u zëvendësar nga një infermiere e sapolicencuar”, tha Rama.

Duke e krahasuar portalin për infermierët me atë të mësuesve, Kryeministri bëri me dije se së shpejti do të bëhet ligj në Parlament punësimi i mësuesve përmes portalit.