Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar nga Fieri fazën e re të planit të vaksinimit kundër koronavirusit.

Manastirliu ka ftuar drejtuesit e bashkive dhe njësive administrative në të gjithë vendin, të bëhen pjesë e aksionit të vaksinimit derë më derë në çdo komunitet.

Sipas ministres, në këtë mënyrë do të nxiten qytetarët që të marrin vaksinën kundër COVID, dhe se do të punohet që çdo qytetar të vaksinohet duke u shkuar në banesë.

Po ashtu, Manastirliu tha se duke nisur nga dita e hënë do të vijojë një aksion në çdo universitet për vaksinimin e studentëve.

“Duke filluar nga Fieri sot, e duke mos ndalur çdo ditë, me ekipin e shëndetësisë do të jemi në krye të këtij aksioni, por në krahun tonë do të jenë të gjithë kryetarët e bashkive, me të gjithë drejtuesit e njësive administrative, me të gjithë kryepleqtë, me të gjithë strukturat e angazhuara të shërbimeve sociale në bashki, me të gjithë shoqatat dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat po njësoj duhet të jenë të përfshira në këtë aksion kombëtar për vaksinimin, një aksion kombëtar për mbrojtjen e jetës. Për studentët, gjithë java që vjen do të jetë një javë aksioni për vaksinimin e tyre, për vaksinimin e të rinjve”, tha Manastirliu.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,783,984 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 825,110 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,262,960 vaksina anti-COVID.