Depuetetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dorëzoi ditën e sotme në selinë e Kuvendit, iniciativën ligjore të Partisë Demokratike ku propozohet ulja e TVSh-së për produktet e shportës nga 20% në 6%.

Sipas Tabakut kjo nismë është aplikuar në shumë vende të Bashkimit Evropian me qëllim përballimin e krizës së krijuar dhe nga pandemia.

“Ne morëm një iniciative ligjore për propozimin e uljes së TVSH-së për produktet e shportës nga 20% në 6 %. Kjo është një nismë politike që vjen në ndihmë të qytetarëve. Nuk është një nismë populiste. Suflerët e qeverisë thonë që kjo është një nismë populiste dhe nuk do të shërbejë për qytetarët. Çfarë do të bëjë ulja e TVSH-së? Ulja e TVSH-së do të bëjë atë që ka bërë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, do të bëjë atë që nuk bën dot qeveria, do të ndihmojë shtresat në nevojë për të rritur dhe nxitur konsumin e tyre. Sot shumë vende të Bashkimit Evropian kanë ulur TVSh-në për një nxitje të ekonomisë. Sot shumë vende kanë ulur TVSH-në edhe për energjinë”, tha Tabaku.