Një grup prej 43 vendesh i ka bërë thirrje Rusisë që të lejojë një hetim ndërkombëtar të pavarur për vdekjen në burg të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny. Sipas tyre presidenti Vladimir Putin mbante përgjegjësi për vdekjen e liderit të opozitës ruse.

Apeli u nis nga ambasadorja evropiane Lotte Knudsen në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë në emër të 27 shteteve të BE-së dhe 16 vendeve të tjera, duke përfshirë Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën.

“Ne jemi të indinjuar nga vdekja e politikanit të opozitës rus, Alexei Navalny… Rusia duhet të lejojë një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe transparent për rrethanat e vdekjes së tij të papritur,” i tha ambasadorja e BE-së Lotte Knudsen në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së në një deklaratë të përbashkët në emër të 43 vendeve.