Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në Pordenone të Italisë, ku një shqiptar u vra tragjikisht. Vladimir Topjana 43 vjeç u qëllua me armë zjarri nga një shqiptar tjetër.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, ngjarja ndodhi pranë një lokali ku njerëzit ishin mbledhur për të shikuar ndeshjen e Serie A, Roma-Juventus.

43-vjeçari Topjana ka qenë duke folur me një të afërm në vendin e parkimit, para lokalit dhe një tjetër biznesi. Biseda e tyre u ndërpre nga një Audi i bardhë që erdhi me shpejtësi. Nga aty dolën dy persona të tjerë, gjithashtu shqiptarë. Mes të katërve më pas ka nisur një debat i ashpër që ka shkuar deri në ngritje zëri.

Klientët e lokalit ku ndodhi konflikti kanë tentuar të ndajnë dy shqiptarët, por më kot, pasi autori 30-vjeçar ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë bashkatdhetarin e tij, duke e lënë të vdekur në vend, pasi një plumb e ka qëlluar në kokë.

Policia njoftoi se pranë vendit të ngjarjes ka qenë rastësisht kunati i tij, i cili fillimisht nuk ka kuptuar se çfarë po ndodhte. Pak pas tij ka mbërritur edhe djali i viktimës. 43-vjeçari, sipas mediave, e frekuentonte shpesh zonën pasi kishte disa të afërm që jetonin aty.

Hetuesit tashmë po kërkojnë prova që do të ndihmojë në investigim. Me shumë mundësi viktima e njihte vrasësin e tij pasi ky i fundit iu drejtua menjëherë sapo zbriti nga makina.

Sa i përket autorit, ai është arrestuar nga policia. Ai fillimisht u arratis nga vendi i krimit, por u kap pas disa orësh teksa ishte nisur në drejtim të një qyteti tjetër.