Policia e Korçës arrestoi tre persona si autorët e dyshuar të katër vjedhje në banesa dhe biznese, të cilët kanë marrë disa televizorë plazma, bizhuteri, shuma parash, tableta dhe sende të tjera.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bënë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjeve konkretisht shtetasve O. K., 43 vjeç; M. Q., 42 vjeç dhe Xh. P., 37 vjeç, banues në Korçë.

Sipas policisë, këta shtetas “në bashkëpunim mes tyre më datë 03.01.2022, në lagjen nr. 10, Korçë, kanë vjedhur në banesën e shtetasit I. R., një televizor plazma, dy tableta dhe disa bizhuteri floriri.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore, dyshohet se tre shtetasit e mësipërm janë autorë edhe të ngjarjeve të mëposhtme të ndodhura në lagjen nr. 18, Korçë.

Konkretisht më datë 30.08.2021, në banesën e shtetasit N. X., kanë vjedhur një televizor plazma dhe disa orendi bakri, më datë 08.10.2021, në dyqanin e shtetasit E. K., një sasi lekësh dhe në lokalin e shtetasit Sh. I., një televizor plazma.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan një televizor plazma, dy celularë dhe një sasi lekësh”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.