Tre shtetas, dy prej të cilëve shqiptarë, janë arrestuar nga policia e Mitrovicës në Kosovë, pasi i është gjetur një sasi prej 45,8 kilogramësh drogë.

Personat në fjalë janë identifikuar gjatë operacionit policor dhe janë kapur në flagrancë gjatë shitblerjes së substancës së dyshuar narkotike, lloji i së cilës nuk është përcaktuar ende nga policia kosovare.

Në pranga përfunduan shtetasit B. D., 30 vjeç, nga Kosova si dhe shtetasit me iniciale H. Xh. 50 vjeç dhe N.M, 51-vjeç nga Shqipëria.

Policia ka kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit të parë dhe ka gjetur e konfiskuar 45.8 kg substancë narkotike, 4 telefona celularë, si dhe një veturë e tipit Golf V.

Ata do të qëndrojnë 48 orë në paraburgim, deri në momentin kur do të vendoset masa tjetër e sigurisë nga gjykata.