Eltion Lazaj, 45-vjeçari që u gjet i vdekur sot në makinën e tij në Vlorë, është vëllai i ish-gjyqtarit Artan Lazaj. Lazaj ka qenë kreu i Gjykatës së Gjirokastrës dhe është shkarkuar nga të dy shkallët e vettingut.
Artan Lazaj u shkarkua nga vetting më 11 korrik 2018, por sipas tij ai vendim ishte i padrejtë dhe ai kërkoi rikthimin në detyrë pranë Kolegjit të Apelimit, por që nuk iu pranua.
Viktima, Eltion Lazaj u gjet i pajetë nga familjarët brenda në makinën e tij sot rreth orës 10:50, në lagjen “Osman Haxhiu”, Vlorë.
Policia njoftoi më herët se nga të dhënat e para dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Nga kqyrja paraprake e trupit të tij, nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera.





