Një 45-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi ka plagosur rëndë djalin e partneres së tij ukrainase.
Ngjarja ka ndodhur pas një debati mes shqiptarit dhe 18-vjeçarit në banesën në Novate Milanese.
I riu raportohet se është qëlluar me plumb në qafë nga 45-vjeçari dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Niguarda në Milano. Shqiptari u arrestua për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas hetimeve paraprake, të shtënat ndodhën pak pas orës 03:30 të mëngjesit. 18-vjeçari u godit nga një plumb në qafë, u transportua në spital ku iu nënshtrua menjëherë një operacioni.
Nuk dihet nëse në momentin e debatit ka qenë e pranishme edhe nëna e të riut, 39-vjeçarja ukrainase.
Në shtëpinë ku ndodhi ngjarja u gjet një gëzhojë, nga arma e përdorur nga 45-vjeçari, e cila rezulton e vjedhur në vitin 2013 në Sassuolo.