TRIESTE – Pak më shumë se 457 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga policia italiane në portin e Triestes. Droga është gjetur e fshehur në një kamion frigoriferik, i cili kishte zbarkuar bosh në portin e Triestes, dhe priste të mbushej me mallra që do t’i transportonte në Shqipëri. Megjithëse mediat italiane nuk e specifikojnë mendohet se kamioni bosh mund të jetë nisur nga porti i Durrësit, pasi Durrës-Trieste është e vetmja linjë detare që lidh këto dy brigje.
Droga u zbulua nëpërmjet kontrolleve me rreze X të ofruara nga autoritetet doganore, e cila pavarësisht shtresës së lartë me izolues dhe fshehjes nën pjesët metalike të rimorkios së kamionit, u arrit të gjendej.
Droga ishte shpërndarë në më shumë se 90 qese, në madhësinë e një jastëku krevati. Shuma totale e marijuanës është llogaritur në 457.2 kilogramë dhe vlera e saj po të shitej në tregun italian arrinte vlerën 4 milionë euro.





