TIRANE- Këshilli i Ministrave ka autorizuar përmes një vendimi Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, të përfundojë brenda datës 20 dhjetor 2012 realizimin e procedurave të prokurimit, me objekt "Rikonstruksion i vilës qeveritare nr. 4, Tiranë" dhe "Rikonstruksion i pjesshëm i Pallatit të Kongreseve", me fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për vitin 2012.

Për rikonstruksionin e vilës nr. 4, Tiranë, fondi limit i miratuar nga qeveria është 48.7 milionë lekë ndërsa për rikonstruksionin e Pallatit të Kongreseve është parashikuar fondi 10 milionë lekë. Rezidenca, e njohur si Vila 4, me vendndodhje brenda territorit të Pallatit të Brigadave do të ristrukturohet tërësisht, pasi aty pritet të vendoset familja e Presidentit të sapozgjedhur Bujar Bishanit.

Vila 4 nuk u përdor nga ish- Presidenti Bamir Topi, i cili parapëlqeu të jetonte në rezidencën e tij personale. Mbetja e pabanuar për një periudhë relativisht të gjatë ka sjellë për pasojë amortizimin e rezidencës si dhe të orendive të saj, duke sjellë edhe nevojën e ristrukturimit të saj të plotë.