Ish-kryeministri, Sali Berisha në fjalën e tij në podiumin u bën thirrje forcave politike që t’i bashkohen protestës në bashkinë e Tiranës.
Berisha është shprehur se vetëm 48 orë i ndajnë nga dita e fitores, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve që të lënë çdo gjë dhe të prijë ditën e premte betejën.
Fjalimi i Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjet më të pakufishme ju luftëtarëve të pathyeshëm të guximit, të lirisë, dinjitetit, të shpresës së shqiptarëve.
Demokrate dhe demokratë, u përshëndes ju, përshëndes oratorët që e shndërrojnë platformën e kësaj proteste në platformën e të vërtetës, në platformën e mbrojtjes së interesave të qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë.
Mbrojtjes së interesit kombëtar dhe idealeve demokratike të qytetarëve shqiptarë.
Të dashur miq, 48 orë na ndajnë nga dita e fitores.
48 orë!
Ndaj dhe unë, sonte kam një thirrje për çdo qytetar të Tiranës të bëjë gjithçka për të firmosur ditën e premte fitoren e tij, fitoren e fëmijëve të tij, fitoren e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.
Thirrja ime është për çdo demokrate dhe demokrat të kryeqytetit, të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij, sakrificave të pamerituara, vuajtjeve që i ka krijuar regjimi antishqiptar i Edi Ramës në këto 11 vite.
Të lërë çdo gjë dhe të prijë ditën e premte në betejën e fitores.
Sot ftoj të gjitha forcat politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejë se beteja është prova e moralit opozitar, e guximit opozitar, e opozitarizmit të vërtetë.
U bëj thirrje të rinjve, të rejave të jeni të parët në këtë betejë sepse në qoftë se Erion Veliaj, Tiranën që duhet të ishte foleja e familjeve tuaja të reja, duhet të ishte shtëpia më e bukur e ëndrrave tuaja, ia ka dorëzuar mafies.
Ndaj dhe ju nuk keni alternativë tjetër veçse largimin prej saj.
E premtja është dita për të treguar guximin tuaj, forcën tuaj, fitoren tuaj.