Afro një në pesë individë në Shqipëri jeton në pragun e varfërisë. Në numër, janë 480 000 individë të cilët kanë të ardhura të ulëta, e që kërcënohen nga rreziku i një jetese pa standardet minimale.
Të dhënat që nxjerr INSTAT për vitin 2024, tregojnë se në krahasim me vitin 2023, vihet re një ulje me 30 mijë njerëz që jetojnë në kushte të vështira.
Pragu i të ardhurave që ndau varfërinë në vitin 2023, ishte 680 lekë në ditë ose 20 400 lekë në muaj.
Familjet më të predispozuara për të rënë në varfëri janë ato që kanë fëmijë nën varësi më të vegjël se 18 vjeç dhe që jetojnë të paktën me një prind, kurse rreziku është më i ulët tek ato familje që nuk kanë fëmijë.
Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshira në të ardhurat familjare, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër dhe në mungesë të tyre, do të ishte 37% e popullsisë që do të rrezikonin të binin në gjendje varfërie.
Ndërkohë, të ardhurat mesatare mujore për frymë vitin e kaluar ishin 51 000 lekë, me rritje rreth 1000 lekë në krahasim me vitin 2023.





