Mëlçia quhet ndryshe laboratori i organizmit. Ajo bën një punë fantastike në filtrimin e të gjitha gjërave të dëmshme në trup. Ky organ jetësor kryen një sërë funksionesh të rëndësishme në organizmin e njeriut, si për shembull: zbërthimin e ushqimeve dhe vitaminave, hekurit dhe mineraleve, prodhon proteina dhe lëngjet biliare që janë të nevojshme për tretjen e ushqimit; shkatërrimin dhe zbërthimin e shumë produkteve të dëmshme siҫ janë alkooli, medikamentet e ndryshme dhe helmet.
Alkooli është padyshim armiku numër 1 i mëlçisë. Megjithatë, shumë njerëz vazhdojnë ta teprojnë me të, duke vënë në rrezik jetën.
Përveç alkoolit, ka edhe faktorë të tjerë, duke filluar nga kequshqyerja deri tek përdorimi i suplementve, që mund të dëmtojnë këtë organ shumë jetësor.
Konsumimi i shumë ushqimeve të përpunuara
Jo të gjitha ushqimet e përpunuara janë të dëmshme. Megjithatë, ka disa prej tyre, që vijnë të paketuara, të cilat duhet t’i konsumoni me limit.
Të pasura me kalori nga yndyrat dhe karbohidratet, këto ushqime mund të çojnë në dhjamosje të mëlçisë.
Pasiviteti fizik
Përfitimeve të shumta të aktivitetit fizik mund t’u shtohet edhe ‘mbrojtja e mëlçisë’. Rezulton që mëlçia luan një rol të rëndësishëm në përpunimin e të gjitha ushqimeve që hani, dhe aktiviteti fizik mund të japë një ndihmë.
“Aktiviteti fizik e bën trupin më efikas në përdorimin e karbohidrateve. Ai pakëson sasinë e karbohidrateve që duhet të ruhen në mëlçi. Stërvitja gjithashtu ndihmon në lehtësimin e stresit të vendosur në mëlçi kur ruhet yndyrë në të”, thonë ekspertët.
Mbipesha, obeziteti
Obeziteti ka gjithashtu një ndikim negativ në mëlçi. Ai lidhet drejtpërdrejtë me sëmundjen e dhjamosjes së mëlçisë, që shkakton inflamacion dhe dëmtim të mëlçisë.
Kjo sëmundje lidhet gjithashtu me sindromën metabolike dhe rezistencën ndaj insulinës, që prekin mbi 80% të njerëzve obezë. Nëse lihet pa trajtuar, ajo mund të çojë në cirrozë ose kancer të mëlçisë.
Pjesa më e frikshme e sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur është se nuk shfaq simptoma dhe mund të shkojë gjatë pa u diagnostikuar.
Shumë njerëz nuk e kuptojnë se janë prekur nga kjo sëmundje deri sa të arrijë në faza më të avancuara. Duke qenë se mbipesha dhe obeziteti mund të dëmtojnë mëlçinë po aq sa alkooli, është e rëndësishme të mbani një peshë të shëndetshme për një mëlçi të shëndetshme.
Përdorimi i suplementeve për të rënë në peshë
Rënia në peshë me anë të suplementeve të caktuara, përveç se është humbje kohe dhe parash, mund të jetë edhe e dëmshme për shëndetin, sidomos për mëlçinë, duke qenë se këto suplemente nuk janë të rekomanduara nga FDA.
Edhe suplementet që pretendohet se janë bimore dhe të gjitha natyrale mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë. Një studim i vitit 2011 zbuloi se disa suplemente për rënien në peshë shkaktonin toksitet të mëlçisë.
Marrja e disa ilaçeve të caktuara pa rekomandimin e mjekut
Disa ilaçe mund të shkaktojnë dëmtime të mëlçisë nëse merren në doza të larta. Këtu përfshihen ilaçet që përmbajnë sodium, ato që përdoren për trajtimin e krizave dhe çrregullimeve mendore, të cilat janë më toksike për mëlçinë.
Antibiotikët që përdoren për trajtimin e sinusitit dhe infeksioneve respiratore gjithashtu mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë nëse merren në doza të larta. /shëndeti.com.al/