Gjirokastër, 17 qershor 2014 – Policia nuk zmbrapset, vijon edhe sot aksionin në Lazarat. Mësohet se në orët e para të mëngjesit 5 autoblinda janë nisur nga fshati Dervican, drejt fshatit “rebel” të Gjirokastrës, ku situata vijon të jetë e tensionuar prej mbrëmjes të së dielës, ndërsa autoblindat e policisë, RENEA dhe forcat speciale po avancojnë shtëpi më shtëpi duke marrë nën kontroll situatën. 

Rreth 50 forca policore janë shtuar mëngjesin e sotëm në Lazarat. Operacioni po drejtohet nga zv.drejtori i policisë, Sokol Bizhga. Ai bën me dije se në operacion ndodhen forcat RENEA dhe FNSH. “ Forcat policore gati për mësymje në Dervician. Ndërkohë 5 autoblinda nga Derviciani po i drejtohen fshatit të Lazaratit.”- bëhet me dije nga policia. 

Mëngjesin e sotëm policia bën me dije se janë arrestuar 6 nga personat që dyshohet se qëlluan me artileri të rëndë ndaj policisë ditën e djeshme. Sipas policisë, të arrestuarit janë Matjas M. Bocia 23 vjeç, Juxhin A. Bocia 19 vjeç, Florian N. Shurdhi, Xhevahir M. Doçi 29 vjeç, Ali M. Basha 46 vjeç, Emiljano B. Aliko 31 vjeç. 

Ndërkohë në orët e para të mëngjesit u plagos një efektiv i FNSH-së.  Policia sqaron se i plagosur ka mbetur efektivi S.M, punonjës i Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër. 

Burime nga policia bëjnë me dije se efektivi i FNSH-së është plagosur në dorë dhe në këmbë. Ai është dërguar menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi dje se shteti i ka shpallur luftë mafies dhe krimit, duke paralajmëruar se të gjithë banorët që qëllojnë në drejtim të policisë, do të përballen me forcat e ligjit si asnjëherë tjetër. 

“I keni bërë llogaritë shumë gabim, dhe mos mendoni kurrë se ka Zot në Tokë, që mund t’iu dalë zot në rast se kundërshtoni me armë Policinë e Shtetit. Hidhni armët dhe lini policinë të bëjë detyrën. Në të kundërt, forca e ligjit do të veprojë si asnjëherë tjetër”,– u shpreh ministri Tahiri. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/