Pa lugë e pa pirunë, pa ngrohje dhe pa asgjë tjetër! Kështu janë 5 ditë pas përmbytjeve masive banorët e Shijakut, të Sukthit, të Katund Sukthit e të dhjetëra fshatrave të tjera. Pakot me ndihma janë duke u shpërndarë tek të përmbyturit, por ata kërkojnë mobiliet dhe orenditë që iu rrëmbeu lumi e llumi i Erzenit.
“Na kanë dhënë ushqime, por me se t’i gatuaj? Nuk kemi as tenxhere e as tigan, nuk kemi sobë, nuk kemi asnjë gjë! Nuk kemi ngrohje, nuk kemi as korent, që prej pesë ditësh! Nuk kemi shtretër, as dyer e dritare, për këto të mendojnë të na ndihmojnë, se nga një kilogram oriz e makarona i blejmë edhe vetë! Sobën e pjekjes dhe të gjitha elektroshtëpiaket i ka marrë lumi, janë jashtë përdorimit! Nuk kemi ku të gatuajmë!”
Kështu shprehen familjarët e zonave të përmbytura, ndërsa ndihmat i konsiderojnë të papërfillshme për gjendjen në të cilën ndodhen prej disa ditësh.
Edhe bizneset e vogla në këto zona kanë marrë fund! Lumi i ka dëmtuar dhe ringritja e tyre është krejtësisht e pamundur!
K.H.