5 konkurse për pozicione të lira pune në nivel specialisti në bashkinë Durrës kanë prodhuar vetëm një kandidat fitues.
4 konkurset e tjera nuk kanë mundur të nxjerrin një kandidat fitues përmes procedurës së pranimit nga jashtë shërbimit civil.
Duke iu referuar njoftimit të publikuar në faqen e bashkisë, “DurrësLajm” mëson se vetëm për pozicionin Specialist, Sektori i Projekteve Publike ka një kandidat fitues dhe ai është Emiljan Musai.
Ndërkohë, për 4 pozicionet e tjera të lira; 1) Specialist, Sektori Menaxhimit të Gjeoinformacionit; 2) Specialist, Sektori Kontrollit të Zhvillimit të Territorit dhe Marrëdhënieve me Publikun; 3) Specialist, Sektori Planeve të Detajuara Vendore dhe 4) Specialist, Sektori i Ndjekjes së Investimeve Publike nuk ka fitues.
Duket se të gjithë kandidatët që kanë konkuruar për këto pozicione të lira nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga komisioni përzgjedhës dhe për këtë arsye kanë dështuar të shpallen fitues për pozicionin e punës, që janë përfshirë në garë.
Ndërkohë kujtojmë se në datë 21 korrik, bashkia Durrës hapi thirrjen publike për angazhimin e profesionistëve të rinj në administratën publike duke dërguar një letër shprehje interesi dhe një CV.
Në një postim në rrjete sociale të datës 21 korrik, kryebashkiakja Emiriana Sako shkruante: “Të gjithë ata arkitektë, urbanistë, inxhinierë, ekonomistë, IT, juristë, profesionistë të shkencave sociale, pedagogë, profesionistë të sektorit të bujqësisë dhe mjedisit , etj të cilët dëshirojnë të japin kontributin e tyre në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit janë të ftuar të shprehin interesin e tyre”
Brenda 24 orëve të para, iu përgjigjën thirrjes 132 të interesuar, ndërkohë që numri total i kërkesave për shprehje interesi nga profesionistët ishte mbi 300.
Në fund të muajit korrik dhe ditët e para të gushtit, të gjithë iu nënshtruan intervistës me gojë përpara komisionit përzgjedhës.
Por pavarësisht interesimit të lartë të profesionistëve nga fusha të ndryshme për t’iu bashkuar administratës së bashkisë Durrës, fakt mbetet se komisioni nuk ka vlerësuar fitues asnjërin prej tyre.
Në 5 konkurse ku kandidatët vinin nga jashtë administratës shtetërore, të gjendet vetëm një kandidat fitues është shumë pak për një administratë që në muajin shtator pritet t’i nënshtrohet një rifreskimi të thellë të kërkuar nga kryeministri Edi Rama.
M.B.





