Në dy vitet e fundit, opinioni publik në Durrës është tronditur disa herë nga krime të rënda të regjistruara brenda në qytet apo në zonat periferike, të cilat kanë pasur për protagonistë persona të rinj në moshë.
Në Shënavlash, brenda një harku të shkurtër kohor (shkurt dhe shtator 2024) u vranë nga djemtë e tyre Pëllumb Meta dhe Enver Balla. Ndërsa në ditët e fundit të tetorit 2025, 69-vjeçari Pjetër Kodheli u vra me thikë nga djali i tij 25-vjeçar, Marjani.
Por krime monstruoze nuk janë regjistruar vetëm brenda familjes. Në Manzë, për shkak të një ekspresi kafeje të fikur konflikti i nisur mes disa të rinjve u përmbyll me vrasjen e dy prej tyre.
Ndërsa Valbon Beqiri, do të humbte jetën në banesën e tij nga goditjet e pandalura me thikë të 24-vjeçarit Teilor Tivari.
Për sociologen Miriam Reçi kryerja e këtyre akteve të rënda nga të rinj në të 20-at e tyre ndikohet nga një sërë faktorësh si ato psikologjikë, socialë, ekonomikë, moralë, edukativë etj.
Problemet e shëndetit mendor, të hasura shpesh në popullatë, shihen nga Reçi si një nga shkaktarët kryesorë që sjellin vrasjet makabre.
“Në familjet shqiptare dhe qytetarët shqiptarë vihet re një numër i madh individësh që kanë probleme mendore, si çrregullime të sjelljes, të personalitetit dhe probleme emocionale të rënda”,- thotë sociologia për “DurrësLajm”.
Dhuna në familje dhe varfëria apo mungesa e punësimit derivojnë shpesh deri në krime monstruoze brenda familjes.
Regjistrimi i këtyre vrasjeve tronditëse në zonat rurale, lidhet sipas sociologes me izolimin, mungesën e aktiviteteve në këto zona dhe mbi të gjitha me atë që tashmë njihet si kulti i “të fortit”.
“Ka një seri mungesash, të cilat individët i duken si parazitarë dhe zhvillojnë atë që është kultura e të fortit. Pra konflikti zgjidhet me konceptin kush është më i fortë se kush. Ky lloj mentaliteti i zgjidhjes së konfliktit me dhunë dhe jo me mënyra të tjera derivon në këto situata konfliktuale dhe ekstreme që po flasim. Shoqëria shqiptare duket se nuk po habitet më nga këto krime monstruoze që përmendëm”.
Me një shoqëri të ndikuar gjithnjë e më shumë nga rrjetet sociale dhe pasurimi në një kohë të shpejtë dhe pa shumë mund, prognoza e viteve në vazhdim nuk duket edhe aq pozitive.
M.B.





