Kryetari i opozitës Lulzim Basha dha një prononcim për mediat pas homazheve që kreu sot në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. 

Basha tha: “Sot është dita kur kombi shqiptar nderon të rënët, të rënët për lirinë kombëtare, kundër pushtuesve, për liri dhe demokraci. Është një ditë nderimi, respekti, mirënjohjeje e thellë kombëtare, patriotike dhe individuale ndaj qindra e mijëra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që   flijuan jetët e tyre në altarin e lirisë kombëtare.

Është po kështu një ditë reflektimi për t’u bashkuar të gjithë sërish për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të vetëdijshëm se për lirinë shkohet në betejë çdo ditë.

Përkulem me respekt përpara dëshmorëve të Luftës Antifashiste, duke filluar nga dëshmori i parë Mujo Ulqinaku. Kujtojmë me respekt ata që ranë fli për atdheun dhe u burgosën nga diktatura. Përulem me respekt para bijve të Kosovës, Preshevës që luftuan për lirinë. Është dita që gjithsecili të ndjeë peshën e sakrificës të tyre. Zoti e bekoftë Shqipërinë."