TIRANË – Kryeministri shqiptar Sali Berisha, dikur një mjek i njohur, nuk bën dallime partiake për të ndihmuar politikanët e sëmurë, pavarësisht nga ngjyra politike.

Qeveria ka financuar kurimin jo vetëm të deputetes aktuale të PD-s, Mesila Doda, por edhe të ish-deputetit të PS-së, Bardhyl Agasi.

Zbardhet një vendim i 12 dhjetorit 2012 i Këshillit të Ministrave për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2012, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë, për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të z. Bardhyl Agasi.

Ka qenë vet ministri i Shëndetësisë, ish-deputet i PS-së tani i LSI-së, Vangjel Tavo, i cili i ka propozuar Kryeministrit Sali Berisha që Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t’i shtohet fondi prej 700 000 (shtatëqind mijë) lekësh, për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të kurimit të z. Bardhyl Agasi.

Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave për shërbimin e ofruar.

Bardhyl Agasi, aktualisht këshilltar i PS-së në këshillin bashkiak të Durrësit, ka qenë kryetar i Lëvizjes “Nano për Fitoren e Socialistëve”.

Në një intervistë ish-deputeti është shprehur se bashkimi me këtë lëvizje ka qëllimin e shërimit dhe forcimit të Partisë Socialiste nga kjo që po vuan. “U bë kaq kohë që kjo parti nuk njeh asnjë fitore, në shkelje statutore, me gabime trashanike, siç ishte ndryshimi i Kushtetutës”, tha Agasi.

“Në kohën kur PS-ja drejtohej nga Nano ka pasur kritika të hapura madje dhe ndaj tij gjë që sot nuk ekziston më, kanë humbur të gjitha këto, pasi sot nuk mund të thuhet më hapur ajo që ndiejmë, në kontaktojmë dhe më figura qendrore të partisë dhe e thonë nën zë, që ke frikë të flasësh hapur, nuk mund ta  themi atë që mendojmë. Me ardhjen e Ramës, për fat të keq duhet ta themi u fshinë kontributet dhe vlerat ndër vite të partisë dhe të gjithë rrinë të heshtur përballë Ramës”, – shprehet Agasi.

Ndërkaq, një kushëri i Bardhyl Agasit, Gëzim Agasi, ish-prefekt i Durrësit në kohën e Meta-Nanos, po diskutohet të përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë të PS në qarkun e Durrësit. Gëzim Agasi ka kontribute në selinë lokale rozë si sekretar organizativ.

Por në strukturat e PS-së së Durrësit ka debate për të nominuarit për “Çmimin” e 23 qershorit 2013.