Tiranë, 27 korrik 2014 – Gazeta “Sot” shkruan në një artikull të saj se pakënaqësia mes deputetëve të selisë rozë dhe ministrave të qeverisë Rama po thellohet.
Sipas kësaj gazete, nuk janë vetëm 5 deputetët rebelë Tom Doshi, Armando Prenga, Mark Frroku, Parid Cara dhe Pjerin Ndreu, të cilët tashmë e kanë shfaqur haptazi pakënaqësinë e tyre, por edhe disa prej senatorëve të kësaj partie.
Deputetët Pjerin Ndreu, Armando Prenga dhe Parid Cara janë takuar pasditen e djeshme dhe takimi është bërë publik nga vetë Prenga përmes një fotoje në Facebook.
Ndërkaq duket se rebelimi i 5 deputetëve ka mbështetjen në heshtje të senatorëve Pandeli Majko, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj etj.
Rebelimi i tyre duket se ka të bëjë me faktin se 5 ministra të kabinetit nuk e kaluan provën e 300 ditëve dhe janë shumë larg pritshmërive të mazhorancës. Këto ministra duket se nuk e kanë njohur autoritetin e partisë dhe deputetëve për emërimet, kanë krijuar stafe nepotike, kanë futur në konflikt selinë rozë me bazën etj.
Ministrat në shënjestër
Shumë deputetë të PS-së janë thellësisht të pakënaqur me performancën e ministres së arsimit Lindita Nikolla.
12 muaj pas largimit nga pushteti të Berishës shumica e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme drejtohen nga militantë dhe komisionerë të PD. Shefat e arsimit në rrethe janë zgjedhur duke anashkaluar strukturat dhe deputetët. Autoriteti i këtyre të fundit ka rënë si asnjëherë tjetër para shefave të arsimit.
Ndërkaq, shkarkimi i ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, konsiderohet si një ndryshim urgjent dhe i domosdoshëm në qeveri. Për shkarkimin e Canit flasin treguesit financiarë, të konstatuar edhe nga vetë kryeministri Rama.
Në shënjestër është edhe Eglantina Gjermeni, ministja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, e njohur edhe si ministrja në hije. Sipas deputetëve, punët e Gjermenit i bën Auron Tare, ndaj është e panevojshme të jenë dy ministra për një dikaster.
Nga ana tjetër, ministri i Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, konsiderohet si ministry më i padobishëm dhe i dështuar. Marrëdhëniet e Parlamentit me qeverinë në këto 300 ditë kanë qenë katastrofale.
Kërkohet koka e Tahirit
Deputeti Tom Doshi kërkon kokën e ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Deputeti Doshi, sot eksponenti i majtë më me influencë në veri ka nisur prej disa ditësh një ofensivë sulmesh të forta në adresë të Tahirit.
Por akuzat e forta të Tom Doshit nuk janë thjesht qëndrime të një deputeti, por opinion i një grupi të madh deputetësh në PS. Shpërthimi i Doshit vjen pas kërkesës së 12 deputetëve të LSI për shkarkimin e Saimir Tahirit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





