Ambasadorja franceze Christina Vasak, gjatë një vizite zyrtare në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, komentoi edhe zhvillimet e fundit politike në vend.

E pyetur nga “DurrësLajm” lidhur me ndikimin që mund të kenë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE miratimi në Kuvend i marrëveshjes së 5 qershorit dhe ndryshimeve kushtetuese të kundërshtuar nga opozita jashtëparlamentare, ambasadorja Vasak tha se duhet angazhim i të gjithë faktorit politik shqiptar, por në fund të fundit kjo mbetet një “çështje shqiptare”.

“Nuk mund të shtoj asgjë më shumë nga ajo çfarë kam thënë me kolegët tuaj në Pogradec. Ajo që është e rëndësishme dhe që dhe ju e dini është që duhet të ketë një angazhim të të gjithë popullit dhe të gjithë përfaqësuesve, të qeverisë, të presidentit të Republikës sikurse të opozitës parlamentare dhe asaj jashtë parlamentare. Çfarë mbetet tjetër është një çështje shqiptare”,- tha Vasak.

Deklaratën ambasadorja e Francës e bëri gjatë takimit zyrtar që zhvilloi në UAMD, ku dhuroi 500 maska për stafin akademik dhe njëkohësisht bëri të ditur arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit mes universitetit të Durrësit dhe atij të Cote d’Azur në Francë, për lëshimin e diplomave të dyfishta Master në Administrim Publik.

M.B.