DURRES, 5 qershor 2013 – 5 qershori është dita që na thërret për të qenë në lëvizje. Për të mbrojtur mjedisin, biodiversitetin, planetin ku jetojmë. Mjedisi konsiderohet çështje thelbësore për integrimin, por shpesh mbrojtja e tij lihet në harresë. Është e përjashtuar dhe nga programet politike të atyre forcave që drejtojnë vendin. Sot është Dita Ndërkombëtare e Mjedisit, po në Durrës nuk pati asnjë aktivitet në kuadër të saj. As shoqatat mjedisore nuk u kujtuan.

Në vitin 1972, gjatë zhvillimit të së parë konferencë mjedisore në Stokholm të Suedisë, OKB-ja miratoi "Manifestin e Mjedisit të Njerëzimit" dhe "Planin e Veprimeve". Sipas propozimeve të kësaj konference në tetor të po atij viti, Asambleja e 27-të e Përgjithshme e OKB-së vendosi të krijojë "Programin e Mjedisit të OKB-së" dhe caktoi zyrtarisht 5 Qershorin si Ditën Botërore të Mjedisit. Një mundësi kjo për të gjithë njerëzit në mbarë botën që të mendojnë mbi efektet negative të shkatërrimit të mjedisit, si në nivel lokal ashtu dhe global dhe të reagojnë për reduktimin e tyre. Me qasjen aktuale të zhvillimit, shumë pyje janë shkatërruar, një pjesë e mirë e ligatinave është tharë, rezervat e peshkut janë varfëruar dhe emetimi i mjaft gazrave serë është rritur. Të gjitha këto kanë nisur të ndikojnë frikshëm mbi Tokë, planetin në të cilin jetojmë. 

Anomalitë e motit, që bëhen më të theksuara nga viti në vit janë një sinjal i fortë për masat që duhet të merren.

Të harruara në etjen për pushtet, koalicionet e mëdha politike në vend nuk janë kujdesur as ta përfshijnë në programet e tyre mjedisin dhe mbrojtjen e nevojshme ndaj tij. Në një deklaratë publike në TCh, Prof. Dr. Eglantina Bruci, menaxhere e projektit të “Adoptimit ndaj Klimës” paralajmëron se ajo që pritet të ndryshojë, me ndryshimet e klimës për vendin tonë, është shpeshtësia e ngjarjeve ekstremeve të motit, të thatësirave të përmbytjeve, të stuhive detare dhe të gjitha këto ndikojnë në ekonominë e vendit.

“Ekstremet e motit pritet të jenë më të shpeshta dhe ajo që sjell ndikimin negativ në zhvillimin ekonomik, nuk është ndryshimi gradual i regjimit të reshjeve dhe temperaturave, por janë ekstremet që i mbivendosen këtyre ndryshimeve.” 

Ndotja dhe mbrojtja e mjedisit, të cilin shpesh nuk e konsiderojmë duke e lënë në kufijtë e projekteve rastësore dhe në deklarata publike shpejt do të nisë të na kushtëzojë jetën, ekonominë, mirëqenien e përbashkët. Nëse i kushtojmë vëmendje sot, nesër dhe çdo ditë njerëzit dhe të gjitha speciet që ndajnë të njëjtin planet do të mund të bashkëjetojnë duke pasur një ambjent më të sigurtë, në të kundërt mirëqenia do të reduktohet në kushte klimaterike që do të prodhojnë sëmundje, skamje dhe luftë për mbijetesë, në një planet që shkon ngadalë drejt degradimit.