13 janar 2015 – Shqiptarët, si në shumë fusha të tjera, edhe në atë të krimit nuk përtojnë t’i hynë detit në këmbë. Rasti më i fundit është grabitja me me armë e një salle bixhozi klandestin në qytetin e Pratos në Itali. Salla ishte nën mbrojten e klanit Sun Yee On të Triadas (mafies kineze). Pesë banditët shqiptarë të maskuar e të armatosur me dy pistoleta dhe një shot-gun grabitën 10 000 euro kesh, sahatë, celularë e arturina të lojtarëve. Atyre nuk u bëri fare përshtypje, që i zoti i sallës së bixhozit klandestin i paralajmëroi se salla ishte nën mbrojtjen e Tridës Sun Yee On.
Policia italiane duke ndjekur sinjalet satelitore të disa prej celularëve të vjedhur arriti, që mbrëmjen e së hënës, më 12 janar 2015 të arrestonte për grabitjen e bixhozxhinjve kinezë:
Viktor Delian, 29 vjeç
Marin Gurakuqin, 28 vjeç
Eduart Vuçkajn, 32 vjeç
Jozef Diamantin, 24 vjeç
Ajet Zykaj, 36 vjeç
Të arrestuarit janë nga Shkodra dhe banojnë në Prato e në zonën pranë saj. Karabinieria sekuestroi armët e grabitjes si edhe gjithë paratë e sendet e vjedhura, të cilat ua ktheu viktimave të grabitjes. Banda po hetohet edhe për grabitjen me armë të sallës së lojërave të fatit Video 2 000 Group po në qytetin e Pratos.
Me këto arrestime karabinieria shmangu edhe një hakmarrje të mundshme të mafies kineze, që mund të kthehej në një përleshje shqiptaro-kineze alla “Far West” në rrugët e qytetit të Pratos.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





