Matjë Valbuena-Fundjavën e shkuar në Marsejë plasi kaosi, një ngjarje shumë e rëndë, pasi në Francë vitin e ardhshëm zhvillohet Euro 2016 dhe nuk është normale që tifozët të ndërpresin ndeshjen për 30 minuta.

Arsyeja? Matjë Valbuena, i kthyer në shtëpi me fanellën e gabuar, atë të Lionit, gjë që tifozët nuk ia kanë falur, duke lëshuar sende, kore e parrulla dhe duke varur edhe një dordolec që simbolizonte pikërisht mesfushorin e kombëtares franceze. Por nuk është vetëm Valbuena i cili ka vuajtur këtë trajtim nga ish-tifozët e tij dhe më poshtë janë disa nga historitë më të famshme:

Mario Gëce- Kalimi i sulmuesit të kombëtares gjermane nga Borusia e Dortmundit te Bajerni i Mynihut nuk u prit aspak mirë nga tifozët e Dortmundit, të cilët e kanë mohuar ish-idhullin e tyre dhe një nga parrugat e shfaqura në stadium gjatë një sfide kundër Bajernit ishte “Fick dich, Gotze”. Kush di pak gjermanisht, e kupton vetë…

Sol Kembëll– Para një dekade qendërmbrojtësi i fuqishëm Sol Kembëll ishte një hero te Totenhemi, por pastaj kaloi te fqinjët e urryer të Arsenalit. Për pasojë, tifozët e tij të vjetër i hoqën vizë dhe e përshëndetën me shkrimin JUDAS, tradhtar, kur u kthye të luante si kundërshtar ndaj Totenhemit.

Stivën Defur– Pesë sezone te Standardi i Liezhit, duke fituar 2 kampionate belgjike dhe duke u bërë kapiten. Iku te Porto dhe pas një sezoni u kthye në Belgjikë, por tek Anderlehti, rivali më i egër i Standardit. Reagimi i tifozëve në Liezh ishte makabër: I KUQ OSE I VDEKUR, me një skenë filmi horror (Xhejzon nga filmi ‘E premte 13’, duke mbajtur kokën e prerë të Defurit në dorë).

Luis Figo– Vështirë se i ka harruar njeri skenat e regjistruara në “Camp Nou”, kur Luis Figo u kthye si kundërshtar, duke veshur fanellën e Real Madridit. Portugezi u arratis natën nga Barcelona, ku ishte një hero, ndaj tifozët nuk ia falën kurrë atë tradhti, duke hedhur edhe një kokë derri në fushë, pranë këmbëve të mesfushorit të famshëm.