Kryeministri Albin Kurti ka ndarë lajmin e mirë se Greqia është një ndër 5 vendet e BE që mund të jetë më pranë njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë për median polake TVP World, Kurti ka folur rreth për Kosovën dhe problematikat që e rrethojnë atë.

Ai thotë se edhe pse janë 27 shtete në Bashkimin Evropian që e njohin Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, janë 5 shtete që nuk e njohin. Këto përfshijnë Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Rumaninë dhe Greqinë.

Por, Kurti është optimist se Kosova përfundimisht do të arrijë të bindë pesë vendet e mbetura të BE-së që njohja e pavarësisë është një gjë e duhur dhe realitet i pakthyeshëm.

Kurti theksoi se Kosova në vitet e fundit ka bërë përparime diplomatike sa i përket komunikimit dhe bashkëpunimit me mosnjohësit, në veçanti me Greqinë, e cila është afër njohjes së Kosovës.

“Kemi punuar fort në aspektin diplomatik, që ato t’i bashkohen shumicës së vendeve të BE-së. Greqia është në ballë të këtyre vendeve, e cila është afër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këtë e tregon edhe statusi i Zyrës sonë në Athinë” tha Kurti.

Ai shtoi më tej se dëshira e vendit të tij për të hyrë në BE nuk ushqehet vetëm nga interesat vetjake, por se vendi do të donte të kontribuonte në BE, që është projekti më i rëndësishëm politik për paqen që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ai tha gjithashtu se Kosova, duke pasur parasysh kostot e saj të ulëta të funksionimit për sa i përket marrjes me qira të lokaleve dhe fuqisë punëtore, mund të jetë një destinacion ideal për investitorët e huaj.

Kurti trajtoi gjithashtu temën e njohjes dixhitale dhe përhapjen e dezinformatave në të gjithë Evropën.