TIRANE, 04 mars 2013- Gjykata e Tiranës dëmshpërblen Regina Muratin, vajzën e vogël që humbi krahun në tragjedinë e rëndë të 15 marsit 2008 në Gërdec. Në vendimin e firmosur pak ditë më parë nga gjykatësja Rezarta Balliu (Vigani), urdhërohet kompania “Albademil” e biznesmenit Mihal Delijorgji, të shpërblejë në shumën e 18 milionë lekëve Reginën, e cila tashmë ka mbushur 13 vjeçe dhe ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj, jeta e vajzës ka ndryshuar kryekëput, pasi gjymtimi e ka bërë të paaftë për punë. Gjithashtu, i ati Kujtimi dhe e ëma Marjeta shpërblehen me nga 3.4 milionë lekë secili. Laura, Soni dhe Fabio Murati, motra dhe vëllezërit e Reginës, janë shpërblyer me nga 1.7 milionë lekë secili. Padia për shpërblim dëmi u bë nga familja Murati, pak kohë pas tragjedisë. Tashmë kur kanë kaluar afro 5 vite nga ngjarja e rëndë që u mori jetën 26 personave dhe 300 të tjerë u plagosën, gjykata firmosi një vendim në favor të vajzës së gjymtuar. I kontaktuar në telefon, Kujtim Murati, babai i Reginës tha se nuk është në dijeni të një vendimi të tillë, pasi nuk kishte kontaktuar me avokatin e tij. 

Gjymtimi i vogëlushes

Në vendimin e gjykatës thuhet se: “Më datë 15.03.2008, si pasojë e shpërthimit të depos të demontimit të armëve në fshatin Gërdec-Vorë, është plagosur paditësja Regina Murati. Menjëherë pas ngjarjes, fëmija Regina Murati është dërguar për kurim të specializuar në Selanik-Greqi, ku sipas epikrizës, datë 26.03.2008, dhe fletëdaljes, datë 02.05.2008, rezulton se fëmija Regina Murati ka qenë e shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Selanik “Hipokrati”, Klinika Ortopedike, ku ajo ka marrë edhe mjekim të specializuar për dëmtimet e shkaktuara nga shpërthimi i depove të armëve në Gërdec-Vorë. Nga vendimi me Nr.532, datë 18.02.2009, i Komisionit të Lartë Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë rezulton se, paditësja Regina Murati, ka humbur aftësinë e saj për punë në masë të plotë + shoqërim, pasi vuan nga sëmundja “Plagë depërtuese e hapur, fraktura 05 frontale, laceracio lobi frontal…”. Duke dalë në përfundimin se e mitura ka pësuar dëm biologjik, moral dhe ekzistencial, gjykata urdhëron kompaninë “Albademil” t’i japë shumën prej 18 milionë lekësh. 
 

Tragjedia

Tragjedia e rëndë u regjistrua mesditën e 15 marsit 2008. Nga shpërthimi i një fabrike demontimi në Gërdec, humbën jetën 26 persona, si dhe qindra të tjerë u plagosën. Mes tyre ishte dhe vogëlushja Regina Murati, e cila humbi krahun e djathtë si pasojë e shpërthimit të predhave. Vajza u dërgua në atë kohë në spitalin “Hipokrati” në Selanik dhe për fat të mirë, arriti të mbijetonte. Për tragjedinë e Gërdecit, vetëm pak javë më parë Gjykata e Apelit dha vendimin e saj, duke cilësuar fajtorë disa nga 29 të pandehurit, si ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinari; biznesmenin Mihal Delijorgji; ish-shefin e shtabit të Forcave të Armatosura të Ushtrisë, Luan Hoxha. Të pandehurit u dënuan nga 1 deri në 12 vite burg maksimumi. Shumë prej tyre janë ende të lirë, ndërsa Pinari, Delijorgji, si dhe ish-drejtori i fabrikës së vdekjes, Dritan Minxolli, u vetëdorëzuan pas vendimit të Apelit dhe ndodhen në qeli.