Në kuadër të masave të shtuara që policia kufitare e Rinasit ka marrë për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë është arrestuar një shtetas, i cili ka tentuar të korruptojë punonjësen e Policisë Kufitare Rinas, me 50 Euro për të kaluar në hapësirën Schengen.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 të Kodit Penal, shtetasi: J. R.,18 vjeç, lindur në Burrel-Mat.

18-vjeçarit të arrestuar i është refuzuar dalja nga Republika e Shqipërisë nga punonjësit e PKK Rinas, por ai ka shkuar sërish të sportelet e daljes dhe ka tentuar të korruptojë punonjësen e Policisë Kufitare të planizuar me shërbim në këto sportele, me një shumë prej 50 euro, me qëllim që punonjësja e policisë ta lejonte të kalonte kufirin në drejtim të shtetit të Belgjikës.

Shtetasi J.R kishte prerë edhe biletën e udhëtimit, në kundërshtim me rregullat për udhëtimin në hapësirën Schengen. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë  për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.