Dhjetëra vatra zjarri kanë përfshirë qytetin e Palermos dhe komunat përreth në Itali.

Mediat e shtetit fqinj kanë bërë të ditur se janë evakuuar qindra banorë nga zonat e rrezikuara, shkollat dhe institucionet janë mbyllur, ndërsa dhjetëra qytetarë kanë pësuar intoksikime për shkak të tymit. Gjendja më e vështirë paraqitet në zonën e Madonies dhe për këtë arsye është mbyllur edhe autostrada Palermo-Messina.

50 fëmijë janë intoksikuar në kopështin “Il Girasole” në Monreale, por fatmirësisht pasi kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor, janë jashtë rrezikut.

Për më tepër zjarrin e ka ndihmuar edhe era e shirokut dhe temperaturat mbi 40 gradë. Dhjetëra shtëpi janë dëmtuar nga flakët ndërsa forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ato të ndihmës së shpejtë kanë qenë gjatë gjithë kohës në gatishmëri.