Nga Anila Hoxha
50 kilogramë tritol, numëruar ndryshe 33 kallëpe të lidhur me njeri-tjetrin, për fatin e bardhë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në lagjen numër 14 në Durrës nuk shpërthyen.
Do kishte ndodhur një masakër në Shkozet.
Ditën e djeshme, 3 persona të maskuar hynë në biznesin e çimentos, lidhën me natriban rojën e ndërtesës në fjalë dhe për një orë e gjysmë instaluan gjithandej eksplozivin në masë të konsiderueshme, që nëse do kishte eksploduar do kishte ndodhur një masakër.
Çfarëdo të ketë ndodhur brenda atyre mureve dhe kushdo që të jetë i dyshuari, duhet urgjent të bëhet publike.
Këqyrja e vendngjarjes dhe rrëfimi i rojës që njoftoi menjëherë policinë mbasi arriti të zgjidhet, tregojnë se autorët e paidentifikuar ende, e instaluan tritolin në brendësi të objektit duke ndjekur një plan që e dinë veçse ata.
Te zotët e biznesit ngrenë supet.
Nuk munden të tregojnë dot para prokurorisë nëse janë kërcënuar, nëse po paralajmërohen nga një grup kriminal i caktuar në Durrës, apo është mirëfilli një shpërthim që nuk ndezi nga rastësia dhe fati. Asnjeri s’di apo s’do të thotë se cilët mund të jenë grupi i personave qe shtroi me eksploziv biznesin.
Nuk dihet ende dhe askush nuk mund ta thotë saktësisht në fazën ku gjenden hetimet, nëse autorët qëllimshëm gabuan duke mos realizuar shpërthimin dhe nëse atje thjesht po linin një mesazh me tritol qe e dinë vetëm ata, por edhe pala marrëse.
Ajo që dihet është se në vendngjarje u gjetën 50 kilogramë me tritol! Që nëse do kishin ndezur, aty do kishte ndodhur një kasaphanë.
Ekspertët xhenierë këmbëngulin se fitili me gjatësi 50 metra distancë nuk u ndez nga bateria e pamjaftueshme.
Megjithatë ky është një hamendësim. Forcat e rendit dhe sigurisë janë në kërkim të çfarëdolloj kamere, targe dhe gjurme qe do t’i çojë tek ata tre të maskuarit që vendosën 50 kilogramë tritol.
Një sasi alarmuese apo jo?