Një 24-vjeçar nga Tirana përfundoi në prangat e policisë pasi trafikonte drogë nga SHBA-ja drejt Shqipërisë.

Bëhet fjalë për kanabis sativa me përqindje të lartë THC-je që i riu e sillte në Tiranë nëpërmjet shërbimit postar.

Siç duket edhe nga pamjet, 24-vjeçari F. Veizaj është kapur sapo ka dalë nga posta, me një kuti kartoni në krahë, ku brenda saj kishte 3.6 kilogramë drogë.

“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “Destinacioni”, kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar. Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 5”, u arrestua shtetasi F. V., 24 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 3.6 kg  lëndë të dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA”, njoftoi policia.

Sipas uniformave blu, droga kishte një vlerë prej 50 mijë eurosh. Ata po vijojnë hetimin për të zbuluar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Kjo nuk është hera e parë që policia godet tentativa të trafikut të drogës nëpërmjet shërbimit postar. Më herët janë arrestuar disa persona për kanabis që trafikohej edhe nga Tajlanda.