Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për kërcënimin ndaj tij, që është raportuar mbrëmë në media, teksa ka thënë se nuk ndjehet i rrezikuar.

“Së pari nuk ndjehem i rrezikuar, mirëpo janë organet e sigurisë ato që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Unë as dje as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time“, ka thënë Kurti.

Lajmin për kërcënimin e Kurtit e konfirmoi mbrëmë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë”, tha Kryeziu.

Dyshohet se kërcënimi është bërë nëpërmjet rrjeteve sociale nga një person me profil të rremë me emrin “Marki Mario”, i cili ka ofruar shpërblim prej 50 mijë euro për personin që vret kryeministrin Albin Kurti.