SHBA, 11 korrik 2014 – 50,000 dollarë është shuma e ofruar nga policia e qytetit, Shelton, SHBA, për personat që ofrojnë informacione në lidhje me vrasjen e 15-vjeçarit shqiptar Kristian Ndoj.

Shpërblimi është maksimumi i lejuar sipas ligjit të shtetit. Ai u autorizua nga guvernatori Dannel P. Malloy pas kërkesës së  Avokatit të Shtetit drejtuar Rrethit Gjyqësor të Ansonia. 

"Shpresojmë, që kjo do të na sjellë informacionin që do të çojë në arrestimin dhe ndjekjen penale të kujtdo që ka kryer këtë krim të tmerrshëm", tha Lawlor në një deklaratë. Javën e kaluar familjarët u shprehën mjaft të shqetësuar për mos gjetjen e fajtorit për vrasjen e djaloshit shqiptar.

Kristjan Ndoj vdiq në 20 mars të këtij viti, pesë ditë pasi u qëllua. 15-vjeçari u qëllua për vdekje në  15 mars të këtij viti, në një rrugë pranë një shtëpie në  Agawam Trail të qytetit Shelton, Connecticut, ndërkohë që ishte duke shkuar me biçikletë tek një miku i tij për ta takuar.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/