Partia Demokratike akuzoi sot ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se po bën fushata antikanabis selektive. Në një dalje për mediat nga selia blu, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, tha se vetëm 2 km larg Rinasit ka parcela me hashash, të cilat mbikëqyren nga kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi.
“Edi Rama e ka nisur Tahirin e tij në ca shfaqje qesharake me të cilat po tallet i madh e i vogël, nëpër disa kodra ku gjoja bëhet nami ndaj drogës. Kanë marrë pjesë në këto shfaqje edhe gazetarë, dhe deputetë të Rilindjes. Çdokush e di se këto aksione janë sa për shfaqje, janë selektive dhe prekin vetëm ata që nuk e kanë paguar haracin 30 për qind. Ja pse:
Kemi këtu foto, dhe pamje filmike të të paktën 6 hektarëve me kanabis, në zemër të vendit, në Larushkë, 2 kilometra larg aeroportit të Rinasit. Video në ekran gjithashtu tregon afërsinë me pistën e Rinasit, nga ku ngrihen avionët”, tha Alibeaj, i cili paraqiti edhe fotot e mëposhtme.
Sipas PD-së, të paktën 50 mijë rrënjë kanabis, janë mbjellë nga krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë Krujë, partner dhe sponsorizues i tij, me inicialet, F.D. Partia Demokratike shtoi se parcelat mbikëqyren drejtpërdrejt nga kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.
“Shtëpia që duket ngjitur, është e një punonjësi të policisë, shërbëtor i kryetarit të Bashkisë, Bushi, me inicialet K.L. Dhe shefi operatoriv i zonës, e ka banesën e tij 1 km larg këtij plantacioni me drogë. Kjo drogë mbillet, kultivohet me sistem vaditje të sofistikuar, ruhet nga punonjësit e shtetit, dhe mbikëqyret drejtpërdrejt nga kryetari i Ramës në Bashkinë e Krujës, Bushi i famshëm i proceduar nga policia italiane për trafik lëndësh narkotike. Këto foto dhe pamje janë marrë dy ditë më parë. Si ky hambar droge ka me qindra në gjithë vendin, sepse zotërohen nga të paprekshmit, nga miqtë e Edi Ramës, nga bandat e lidhura me të. Ky është sundimi i vendit me drogë e trafikantë. Shqiptarët duhet të ngrihen e të bashkohen kundër këtij regjimi krimi e droge. Shqipëria meriton punë të ndershme, rend e siguri. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, përfundoi demokrati Alibeaj.





